Kosova pranon përkohësisht emigrantë të dëbuar nga SHBA, miraton fond për varrimin e Bujar Bukoshit

Para 11 muaj

Në mbledhjen e 262-të të saj, Qeveria e Kosovës ka miratuar një vendim për pranimin dhe strehimin e përkohshëm të deri në 50 personave nga vende të treta, të cilët janë në proces dëbimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas vendimit, këta individë do të qëndrojnë në Kosovë për një periudhë njëvjeçare, me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendet e prejardhjes. Përzgjedhja e tyre do të bëhet nga një listë e propozuar, bazuar në kritere që lidhen me rendin publik dhe sundimin e ligjit. Ata do të veprojnë sipas ligjeve të Kosovës dhe do të kenë të drejta të garantuara nga legjislacioni në fuqi.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar edhe themeline e Këshillit Organizativ për varrimin e ish-kryeministrit Bujar Bukoshi. Ceremonia mortore do të organizohet nën patronatin e Kryeministrit në detyrë dhe do të përfshijë mbledhje komemorative, homazhe në hollin e Kuvendit dhe varrim në Kompleksin e Dëshmorëve në Velani, me pjesëmarrjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Në kuadër të këtij vendimi, Qeveria ka ndarë edhe një ndihmë financiare prej 10,000 euro për familjen Bukoshi.