Xhavit Haliti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe situatës ndërkombëtare të Kosovës, duke adresuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë aktuale dhe pasojave që sipas tij po ndihen në arenën ekonomike e diplomatike.
Në një postim publik, Haliti ka theksuar se Kosova tashmë për më shumë se një vit ndodhet nën sanksione të Bashkimit Evropian, për shkak të, siç tha ai, vendimeve të pamenduara të Qeverisë, të cilat kanë rezultuar me dëme serioze në disa fusha kyçe.
“Grantet janë bllokuar, ekonomia është dobësuar dhe në planin diplomatik kemi humbje të pallogaritshme”, ka shkruar Haliti, duke shtuar se propaganda e pushtetit nuk po arrin ta fshehë realitetin.
Ai ka komentuar edhe qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si më të butë në raport me vendimet e Qeverisë Kurti, por megjithatë kritikues në thelb.
“SHBA ka dhënë ‘këshilla prindërore’ për Qeverinë e Kosovës, të cilën e ka krahasuar me ‘kopsht fëmijësh’”, shkruan më tej Haliti.
Ish-deputeti ka përmendur edhe tërheqjen e SHBA-së nga dialogu strategjik me Kosovën, duke e lidhur atë me, siç e quan ai, dështimin për të krijuar një Qeveri legjitime në vend.
“Me kë do të flasë i dërguari i Presidentit të SHBA-së në mungesë të një Qeverie legjitime? U është thënë qartë: luani në kopshtin tuaj, por më parë duhej t’i bënit detyrat e shtëpisë”, ka përfunduar Haliti.
