Kosova po përballet me një situatë alarmante nga përhapja e zjarreve në zona fushore dhe malore, me dhjetëra ndërhyrje çdo ditë nga njësitet e zjarrfikësve. Komuna e Ferizajt është një nga zonat më të prekura, ku vetëm gjatë muajit korrik janë regjistruar mbi 200 raste zjarri, shumica absolute në terrene të hapura.
“Gjendja është e menaxhueshme, por dinamike. Kemi raste të shpërndara në zona të ndryshme, dhe apeli ynë kryesor është: njoftoni menjëherë nëse shihni tym apo zjarr,” tha Zymri Krasniqi, komandant i Njësisë së Zjarrfikësve në Ferizaj, në një intervistë për emisionin Ora 7 në Klan Kosova.
Ai theksoi se shpejtësia e reagimit është jetike, pasi zjarret në temperatura të larta përhapen me ritme të shpejta dhe mund të shkaktojnë dëme të mëdha materiale apo edhe rrezik për jetën.
Ndërkohë, Latif Zeka, ish-komandant i zjarrfikësve të Prishtinës, vlerësoi se shumica e këtyre zjarreve nuk janë të qëllimshme, por vijnë si pasojë e pakujdesisë së qytetarëve, të cilët shpesh djegin mbeturina apo nuk ndalin zjarret fushore në mënyrë të kontrolluar.
“Temperaturat e larta vetë janë nxitës të rrezikut. Në shumë raste, zjarri mund të niset edhe nga vetëdjegia e mbeturinave ose objekteve të lëna në diell,” tha Zeka. Sipas tij, zjarrfikësit në gjithë vendin kanë realizuar deri në 1600 ndërhyrje të natyrave të ndryshme vetëm këtë sezon.
Apel për kujdes dhe bashkëpunim
Autoritetet e sigurisë dhe shërbimet emergjente bëjnë thirrje për kujdes maksimal, veçanërisht gjatë ditëve me temperaturë ekstreme. Njoftimi në kohë, shmangia e ndezjeve në natyrë dhe bashkëpunimi me ekipet në terren janë thelbësore për të frenuar përhapjen e zjarreve.
