Kosova me rol udhëheqës në Samitin e EPC: Osmani bashkëkryeson tryezën e liderëve

Para 11 muaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të përfaqësojë vendin në Samitin e gjashtë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili këtë vit po mbahet në Tiranë, Shqipëri. Në këtë ngjarje të rëndësishme pritet të marrin pjesë 45 liderë evropianë, përfshirë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian.

Presidentja Osmani do të pritet zyrtarisht nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa gjatë samitit do të marrë pjesë në të dy seancat kryesore. Ajo do të ketë një rol të veçantë si bashkëkryesuese e tryezës së liderëve me temën “Një Evropë e hapur me kufij të sigurt”, së bashku me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković.

Tryeza e liderëve do të fokusohet në sfidat e sigurisë në kontinent, çështjet e migrimit dhe lëvizshmërisë, si dhe fuqizimin e të rinjve dhe të mërgatës si faktor kyç për zhvillim ekonomik dhe stabilitet. Në këtë tryezë pritet të marrin pjesë edhe liderë nga Italia, Austria, Hungaria, Belgjika dhe vende të tjera evropiane.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe një sërë takimesh bilaterale me liderë të tjerë evropianë.

Komuniteti Politik Evropian, i themeluar në vitin 2022, është një platformë e përbashkët për diskutimin e çështjeve strategjike të kontinentit, duke synuar forcimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes vendeve anëtare dhe joanëtare të BE-së.