Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe figurë e njohur në zhvillimet politike dhe të sigurisë në veri të Kosovës, është një nga 20 personat për të cilët Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër-arrest nën dyshimet për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Sipas të dhënave të konfirmuara nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të dyshuarit akuzohen për përfshirje në një nga episodet më të rënda të luftës — masakrën në lagjen “Ura e Taliqit” në Gjakovë, ku sipas hetimeve, gjatë katër ditëve (7-10 maj 1999) u vranë 106 civilë shqiptarë dhe mbi 300 të tjerë u keqtrajtuan nga forcat ushtarake dhe policore serbe.
Trupat e viktimave, thuhet në dokumentin e gjykatës, janë zbuluar më vonë në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë — një vend i njohur tashmë për fshehjen e krimeve të luftës së forcave serbe.
Kërkesa për urdhër-arrestin është bërë më 27 mars 2025, ndërsa aktvendimi për fillimin e hetimeve është nxjerrë më 18 mars. Prokuroria ka sqaruar se ekziston një dyshim i arsyeshëm se të dyshuarit kanë marrë pjesë aktive në krime sistematike, të organizuara dhe me karakter etnik.
Ky zhvillim vjen në një periudhë të ndjeshme politike e diplomatike për Kosovën, dhe rikthen në qendër të debatit çështjen e drejtësisë për krimet e luftës — shumë prej të cilave ende mbeten të pandëshkuara
Ky është vetëm njëri prej rasteve ku emri i Radoiçiqit lidhet me dhunë dhe krime të rënda. Ai tashmë është në kërkim edhe për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Radoiçiq e mori vetë përgjegjësinë për këtë sulm, i cilësuar nga autoritetet kosovare si akt terrorist dhe për të cilin Prishtina akuzon drejtpërdrejt shtetin serb për përfshirje — pretendim që Beogradi e mohon.
Pavarësisht këtyre akuzave të rënda dhe urdhër-arresteve të lëshuara, përfshirë edhe atë nga INTERPOL-i, Radoiçiq besohet se lëviz i lirë në Serbi, pa u përballur me ndonjë proces gjyqësor nga autoritetet e atjeshme.
