Republika e Kosovës është larguar zyrtarisht nga Lista e Shteteve Fragjile dhe në Situatë Konflikti e Bankës Botërore, pas më shumë se 15 vitesh që prej anëtarësimit në këtë institucion financiar ndërkombëtar.
Lajmin e ka konfirmuar ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili e cilësoi këtë vendim si një avancim të jashtëzakonshëm, që vërteton stabilitetin institucional dhe qëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës.
“Ky zhvillim përmirëson perceptimin ndërkombëtar ndaj Republikës së Kosovës dhe rrit besimin e investitorëve të huaj”, shkroi Murati.
Sipas tij, kjo arritje është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve vendore, si Ministria e Financave dhe BQK-ja, dhe koordinimit të mirë me Bankën Botërore.
