“Kosova është Serbi” në targa – Ushtarët malazezë përballen me ndëshkim dhe dorëheqje

Para 7 muaj

Rajko Krivokapiq, ushtar i Ushtrisë së Malit të Zi, është ndëshkuar për shkelje disiplinore pasi në nëntor 2024 udhëtoi pa autorizim në Kosovë, ku u arrestua për vendosjen e targave me mbishkrimin “Kosova është Serbi”. Bashkë me të u arrestuan edhe Dragutin Lalatoviq dhe Marinko Jovanoviq, pas pjesëmarrjes në një ceremoni fetare në Deçan.

Të tre u ndaluan nga autoritetet kosovare për “nxitje të urrejtjes dhe intolerancës” dhe qëndruan 55 ditë në paraburgim. Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi konfirmoi për “Vijesti” se Krivokapiq është ndëshkuar, ndërsa procedura ndaj Lalatoviqit u pezullua pasi ky i fundit dha dorëheqjen nga ushtria.

Sipas burimeve, asnjëri prej tyre nuk kishte raportuar udhëtimin jashtë vendit, ndërsa ishin zyrtarisht në pushim mjekësor. Detajet e dënimit nuk janë bërë publike, por mendohet se ka qenë ndëshkim financiar.