Qeveria në detyrë e Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve nga vende të treta, si pjesë e një marrëveshjeje ndërqeveritare.
Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka konfirmuar për Klankosova.tv se ky bashkëpunim është pjesë e përpjekjeve për zbatimin e politikave të imigracionit të Administratës Trump.
“Jemi mirënjohës ndaj partnerit tonë, Kosovës, për lehtësimin e kthimit të sigurt të shtetasve të larguar në vendet e tyre të origjinës”, thuhet në përgjigjen e ambasadës. Po ashtu, theksohet se bashkëpunimi i tillë është thelbësor për parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe forcimin e sigurisë kufitare amerikane.
Ambasada citoi Sekretarin Rubio duke thënë se SHBA mbetet e përkushtuar për ndalimin e migrimit të paligjshëm dhe për bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në këtë drejtim.
