Kosova do të strehojë përkohësisht 50 persona në bashkëpunim me SHBA-të

Para 10 muaj

Qeveria e Kosovës ka miratuar më 11 qershor një vendim për strehimin e përkohshëm të 50 individëve, në kuadër të një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas njoftimit zyrtar, qëllimi është të lehtësohet kthimi i sigurt i këtyre personave në vendin e prejardhjes së tyre.

Përzgjedhja dhe identifikimi i tyre do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet amerikane, duke marrë parasysh sigurinë kombëtare dhe rendin publik. Mbrojtja e përkohshme do të ofrohet sipas legjislacionit përkatës për azilin dhe do të zgjasë një vit, me mundësi vlerësimi dhe zgjatjeje sipas rrethanave në vendet e origjinës.

Ministria e Punëve të Brendshme do të trajtojë rastet individualisht dhe do të ofrojë kushte bazë për jetesë, si strehim, ushqim, veshmbathje, ndihmë higjienike dhe qasje në kujdes shëndetësor emergjent.

Qeveria thekson se Kosova ka përvojë të suksesshme në menaxhimin e mbrojtjes së përkohshme, si në rastin e shtetasve afganë në vitin 2021 dhe gazetarëve ukrainas të strehuar përmes programit “Gazetarët në Rezidencë”.

Autoritetet kosovare janë në koordinim të vazhdueshëm me SHBA-të për zbatimin e këtij vendimi, ndërsa theksojnë se Kosova mbetet partnere e besueshme dhe mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme amerikane në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.