Koreja e Veriut ka kryer me sukses testin e parë të sistemit të armëve të anijes së saj më të re dhe më të avancuar luftarake, të quajtur “Choe Hyon”. Lajmi u konfirmua nga agjencia shtetërore KCNA, e cila raportoi se gjatë provës u lëshuan raketa lundrimi, raketa kundërajrore dhe u qëlluan predha artilerie.
Testi u ndoq nga afër nga udhëheqësi i vendit, Kim Jong-un, i cili deklaroi se Marina e Koresë së Veriut duhet të përshpejtojë armatimin bërthamor si pjesë e mbrojtjes së sovranitetit detar dhe sigurisë kombëtare.
Sipas raporteve nga KCNA dhe analizave të imazheve satelitore nga institute kërkimore ndërkombëtare, “Choe Hyon” është një anije me një peshë rreth 5,000 tonë dhe gjatësi 140 metra. Mendohet të jetë e pajisur me sisteme të avancuara për lëshimin e raketave dhe, sipas faqes amerikane NK News, mund të mbajë edhe raketa bërthamore taktike me rreze të shkurtër veprimi.
Anija pritet të hyjë zyrtarisht në shërbim në fillim të vitit 2026 dhe, sipas autoriteteve verikoreane, do të luajë një rol kyç në forcimin e “strategjisë së parandalimit bërthamor” të vendit.
