Kontrolle të shtuara për tekstet shkollore – MINT nis inspektime në gjithë Kosovën

Para 7 muaj

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ka nisur nga 1 shtatori një fushatë intensive të inspektimeve në gjithë territorin e Kosovës, me fokus mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe monitorimin e çmimeve të teksteve shkollore.

Sipas njoftimit zyrtar, deri tani janë inspektuar mbi 30 operatorë ekonomikë që veprojnë në fushën e botimit dhe shitjes së teksteve shkollore. Në rastet ku janë konstatuar shkelje ligjore, janë marrë masa ndëshkuese sipas ligjit.

“Ky hap është ndërmarrë për të siguruar respektimin e kërkesave ligjore dhe për të mënjanuar shkeljet që mund të dëmtojnë konsumatorët si dhe krijimtarinë intelektuale,” thuhet në njoftim.

Inspektorati paralajmëroi vazhdim të kontrolleve edhe në ditët në vijim, me fokus të veçantë ndaj shtëpive botuese dhe shpërndarësve, për të garantuar një treg të drejtë, çmime të arsyeshme dhe mbrojtje të të drejtave të autorëve.

MINT u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të bashkëpunojnë me autoritetet për një proces të rregullt dhe transparent.

Qytetarët që hasin parregullsi mund të raportojnë përmes numrit pa pagesë 0800 11000 ose në emailin [email protected].