Organizatorët e Panairit Ajror të Parisit kanë ndaluar pjesëmarrjen e disa kompanive izraelite të industrisë së mbrojtjes, me arsyetimin se ato kishin shkelur rregullat e ekspozitës duke prezantuar “armë sulmuese”.
Stendat e pesë kompanive, përfshirë Israel Aerospace Industries (IAI), Rafael dhe Elbit Systems, u mbuluan me struktura të zeza dhe u izoluan nga pjesa tjetër e panairit. Vendimi u mor pas një rishikimi të produkteve të ekspozuara, të cilat, sipas organizatorëve, nuk ishin në përputhje me kriteret e ekspozitës ndërkombëtare të industrisë së aviacionit dhe mbrojtjes.
Sipas raportimeve, kompanitë e përjashtuara furnizojnë ushtrinë izraelite me teknologji të avancuar luftarake, përfshirë dronë dhe sisteme raketore të përdorura në operacionet ushtarake në Rripin e Gazës.
Një përfaqësues i kompanisë Rafael shprehu befasi dhe indinjatë për vendimin, duke deklaruar se nuk kishte pasur asnjë njoftim paraprak për ndalimin. Reagim të ashpër pati edhe Ministria izraelite e Mbrojtjes, e cila e cilësoi përjashtimin si një “akt diskriminues dhe skandaloz”, që sipas saj ishte i motivuar politikisht dhe jo teknikisht.
Ky zhvillim ndodh në një kohë të tensionuar ndërkombëtare, ku presioni mbi Izraelin është rritur lidhur me ndërhyrjet ushtarake në Gaza dhe përdorimin e armëve të prodhuara nga këto kompani në operacione që kanë shkaktuar viktima civile.
