Prishtinë, 1 qershor 2025
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka publikuar një deklaratë alarmante, duke theksuar situatën e rëndë të të drejtave të fëmijëve në vend dhe duke bërë thirrje për reforma urgjente dhe investime të qëndrueshme në sistemin e mbrojtjes sociale, arsimit dhe shëndetësisë.
Sipas të dhënave të prezantuara, fëmijët nën 18 vjeç përbëjnë rreth 28 për qind të popullsisë së Kosovës, por përballen me rrezik të lartë përjashtimi dhe neglizhimi institucional për shkak të një sistemi mbrojtës të brishtë dhe jofunksional.
“Sistemi aktual është reaktiv dhe nuk ofron mbështetje parandaluese. Shërbimet sociale janë të paqëndrueshme financiarisht dhe ndodhen në rrezik të vazhdueshëm reduktimi”, theksohet në deklaratën e KOMF.
Një ndër pikat më kritike është përjashtimi i fëmijëve të moshës 16-18 vjeç nga shtesat për fëmijë, duke krijuar diskriminim të hapur në politikat sociale.
Situata përkeqësohet edhe më tej nga fakti që, sipas të dhënave të fundit, 72 për qind e fëmijëve përjetojnë forma të dhunës brenda familjes si mjet disiplinues. Rreth 600 fëmijë jetojnë pa kujdes prindëror, ndërsa 5 për qind e tyre janë të përfshirë në punë të rënda.
KOMF vë në pah se edhe pse Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës është miratuar që nga viti 2020, ai ende nuk ka gjetur zbatim të plotë. Kapacitetet e limituara financiare dhe njerëzore kanë krijuar një sistem që menaxhon vetëm rastet më të rënda emergjente, duke lënë pas dore masat parandaluese dhe mbështetëse.
Në sektorin e arsimit, përfshirja e fëmijëve në edukimin parashkollor mbetet jashtëzakonisht e ulët. Vetëm 15 për qind e fëmijëve të moshës 3 deri në 4 vjeç ndjekin programe zhvillimore. Për më tepër, rezultatet në testimet ndërkombëtare si PISA dhe Testi i Arritshmërisë janë të dobëta, ndërsa fëmijët me aftësi të kufizuara përballen me vështirësi të mëdha për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe stafit mbështetës.
Vetëm 609 nga 1,044 institucione arsimore ofrojnë qasje fizike për fëmijët me aftësi të kufizuara, dhe numri i stafit profesional për mbështetje është i pamjaftueshëm.
Gjendja është po ashtu e rënduar në sektorin e shëndetësisë. Mungesa e sigurimeve shëndetësore detyron prindërit të përballojnë vetë kosto të larta për trajtimin e fëmijëve. Në nivel vendi, janë vetëm 7 psikiatër për fëmijë, 10 specialistë të psikologjisë klinike dhe vetëm 2 psikologë klinikë në të gjithë vendin.
Ndërkohë, mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka rënë nga 18 në 16 vjeç, ndërsa numri i përgjithshëm i përdoruesve ka kaluar 30,000. KOMF thekson se Kosova ende nuk ofron shërbime parandaluese dhe rehabilituese për fëmijët dhe adoleshentët që përdorin substanca narkotike.
Në përfundim të deklaratës, KOMF bën thirrje për veprim të menjëhershëm dhe angazhim institucional serioz për të garantuar mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve në Kosovë, duke e konsideruar këtë si një detyrim ligjor dhe moral të shtetit.
