Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, pjesëmarrës në ceremoninë e ndërrimit të Komandës Amerikane të KFOR-it në Lindje

Para 10 muaj

Prishtinë – Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të ndërrimit të Komandës në Komandën Rajonale-Lindje (RC-E) të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR.

Në këtë ceremoni, kontingjenti amerikan KFOR 34, i udhëhequr nga Kolonel Peter D. Helzer dhe Rreshter Major John K. Zagyva, ia dorëzoi komandën KFOR 35, të udhëhequr nga Kolonel Jonathan D. Lloyd dhe Rreshter Major Somkid M. Kimball.

Përmes një njoftimi zyrtar të FSK-së, u bë e ditur se gjeneral Jashari ka falënderuar komandantin në largim, Kolonel Helzer, për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e vazhdueshme gjatë mandatit të tij, duke vlerësuar lartë kontributin e tij për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Gjithashtu, Jashari i ka uruar suksese Kolonel Lloyd-it në detyrën e re si Komandant i Komandës Rajonale-Lindje, dhe ka shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe KFOR-it, në funksion të sigurisë dhe paqes në Kosovë.

Ceremonia e dorëzim-pranimit të komandës është një nga ngjarjet kyçe që nënvizon vazhdimësinë e angazhimit të NATO-s për stabilitetin në Kosovë, përmes bashkëpunimit të ngushtë me institucionet vendore të sigurisë.