Një moment i papritur gjatë koncertit të Coldplay ka tronditur jo vetëm jetën personale, por edhe karrierën e Andy Byron, CEO i kompanisë së inteligjencës artificiale Astronomer.
Byron, 50 vjeç, u filmua duke u përqafuar ngushtë me Kristin Cabot, drejtoreshë e burimeve njerëzore në të njëjtën kompani, teksa u kapën në ekranin e njohur “Kiss Cam”. Videoja u bë menjëherë virale, duke u shpërndarë miliona herë në rrjetet sociale – dhe jo për arsye pozitive.
Të dy janë të martuar me persona të tjerë, dhe përqafimi publik ndezi një reagim zinxhir: gruaja e Byron, Megan Kerrigan, hoqi mbiemrin e tij nga rrjetet sociale dhe më pas i mbylli llogaritë e saj, teksa komente mbështetëse e përgëzonin për reagimin e saj të menjëhershëm.
Divorci duket i pashmangshëm, dhe me pasurinë e Byron të vlerësuar rreth 60 milionë paund, mungesa e një marrëveshjeje paramartesore mund të rezultojë në ndarjen e pasurisë. Kerrigan mund të përfitojë deri në 30 milionë paund, nëse vendos të kërkojë ndarjen e barabartë sipas ligjeve britanike.
Ndërkohë, Bordi i Astronomer ka nisur një hetim të brendshëm për shkelje të mundshme etike dhe konflikte interesi, pasi Cabot ka një rol të rëndësishëm në formësimin e kulturës së kompanisë. Nëse gjendet fajtor për sjellje të papërshtatshme, Byron mund të përballet me sanksione serioze, përfshirë ngrirjen e aksioneve ose shkarkimin nga detyra.
Nga “CEO i suksesshëm” te një figurë në qendër të një skandali publik dhe ligjor, rasti i Andy Byron është shembulli më i fundit se një moment i vetëm në epokën e kamerave kudo mund të përmbysë gjithçka – dashurinë, karrierën dhe pasurinë.
