Kina heq pjesërisht ndalimin për importet e prodhimeve detare nga Japonia

Para 10 muaj

Kina ka njoftuar rifillimin e menjëhershëm të importeve të prodhimeve detare nga disa rajone të Japonisë, duke i dhënë fund një ndalimi dyvjeçar që u vendos pas nisjes së shkarkimit të ujërave të trajtuara nga centrali bërthamor i Fukushimës. Megjithatë, ndalimi mbetet në fuqi për produktet nga dhjetë prefektura, përfshirë Fukushimën, Tokion dhe Chiban.

Sipas Doganave të Kinës, importet nga rajonet e tjera do të lejohen vetëm nëse shoqërohen me certifikata shëndetësore, raporte për substanca radioaktive dhe dokumente origjine të lëshuara nga autoritetet japoneze. Kina theksoi se vendimi u mor pas testimeve të gjera ndërkombëtare dhe të pavarura, të cilat nuk zbuluan anomali në ujin e shkarkuar.

Autoritetet kineze njoftuan se do të vijojnë mbikëqyrjen strikte të produkteve të importuara nga Japonia dhe do të ndërmarrin masa në rast të shkeljeve të standardeve të sigurisë ushqimore.