Kica-Xhelili: Qeveria Kurti dështoi sepse propaganda e shkeljet kushtetuese nuk kanë mbështetje

Para 6 muaj

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas dështimit të formimit të Qeverisë Kurti 3, e cila nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme në Kuvend.

Përmes një postimi në Facebook, Kica-Xhelili ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se propaganda, demagogjia dhe shkeljet kushtetuese nuk kanë më mbështetje në skenën politike.

“Bllokada, vonesa, demagogji, vendime të paligjshme, shkelje kushtetuese, propagandë… Ajo gjuhë nuk ka mbështetje. Ajo demagogji nuk gjen numra. Ajo mendësi nuk ka të ardhme,” ka shkruar ajo.

Deputetja e LDK-së gjithashtu akuzoi Kurtin për kopjimin e planit qeverisës të LDK-së, duke përmendur idetë për Ministrinë e Familjes, Digjitalizimit dhe ndarjen e Infrastrukturës nga Planifikimi.

“T’a kopjojnë edhe munden, por për t’a zbatuar u duhen njerëzit profesionalë, racionalë, me mendësi progresi – që këta nuk i kanë,” ka përfunduar Kica-Xhelili.