Para disa ditësh, njësitë e KFOR-it ndërhynë për të hapur disa rrugë ilegale në veri të Kosovës, afër kufirit me Serbinë, duke i bërë ato sërish të kalueshme për automjete. Këto rrugë ishin bllokuar më herët nga Policia e Kosovës për të parandaluar kontrabandën dhe kalimet ilegale.
Sipas një deklarate të KFOR-it për IndeksOnline, hendekët ishin hapur në afërsi të vijës kufitare, pa koordinim paraprak me KFOR-in dhe pa miratimin e tij. Si pasojë, KFOR-i ndërhyri për të mbushur hendekët dhe për të shmangur tensionet dhe keqkuptimet mes palëve, duke njoftuar paraprakisht institucionet e Kosovës dhe forcat e armatosura të Serbisë.
KFOR-i theksoi se është autoriteti përfundimtar për kontrollin e vijës kufitare, duke vepruar në përputhje me mandatin e përcaktuar nga Rezoluta 1244 e OKB-së dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake. Ndërkohë, KFOR-i ka ofruar mbështetje për Policinë e Kosovës në luftën kundër kontrabandës dhe trafikimit, duke ndihmuar në vendosjen e pengesave në anën kosovare të kufirit.
Misioni i NATO-s vazhdon të jetë i angazhuar për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX.
