KFOR intensifikon patrullimet në jug të Kosovës në bashkëpunim me autoritetet lokale

Para 1 vit

Ushtarët italianë të Komandës Rajonale Perëndim (RC-W), pjesë e misionit të udhëhequr nga NATO – KFOR, kanë realizuar së fundmi patrullime dhe aktivitete mbikëqyrëse në zonën e tyre të përgjegjësisë në jug të Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, qëllimi i këtyre patrullimeve është të kontribuojnë në garantimin e sigurisë dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e rajonit.

Gjatë këtyre angazhimeve, ushtarët kanë komunikuar nga afër me popullsinë lokale dhe përfaqësues të autoriteteve civile, duke forcuar besimin në praninë paanshme dhe mbështetëse të KFOR-it në terren.

“Misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar, në përputhje me mandatin e dhënë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999 – për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme,” thuhet në njoftim.

KFOR-i vijon të bashkëpunojë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në kuadër të roleve të tyre përkatëse në garantimin e sigurisë në terren.