KFOR dhe Mbretëria e Bashkuar fuqizojnë angazhimin për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë

Para 9 muaj

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani, ka pritur në selinë e misionit të udhëhequr nga NATO në Kampin Film City në Prishtinë, të Dërguarën Speciale të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, e cila ishte shoqëruar nga ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Gjatë takimit u diskutua situata aktuale e sigurisë në Kosovë, me fokus të veçantë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit.

Gjeneral Barduani ripohoi përkushtimin e KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në Kosovë, duke theksuar gjithashtu rolin e rëndësishëm të kontingjentit britanik brenda misionit paqeruajtës.

Nga ana e saj, Dame Pierce vlerësoi lart punën e KFOR-it, duke theksuar se Mbretëria e Bashkuar mbetet një aleate e palëkundur në përkrahjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Ajo konfirmoi se përkushtimi i Londrës ndaj KFOR-it dhe paqes në Ballkanin Perëndimor do të vazhdojë me intensitet të njëjtë.

Ky takim vjen në një kohë të ndjeshme për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, ndërkohë që misioni i KFOR-it mbetet një garanci kyçe për stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.