Uashington, 28 qershor 2025 – Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane, me seli në Uashington, ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me situatën politike në Kosovë, duke shprehur shqetësim të thellë për bllokimin institucional dhe mungesën e konstituimit të Kuvendit pas zgjedhjeve të fundit.
“Kjo paralizë institucionale është e pajustifikueshme. Ajo minon besimin publik, dobëson shtetin dhe e lë Kosovën të ekspozuar në një ambient global gjithnjë e më të paqëndrueshëm,” thuhet në deklaratën e Këshillit.
Organizata me ndikim në Uashington thekson se po ndjek nga afër zhvillimet politike në Kosovë dhe mbetet e përkushtuar për të mbështetur çdo përpjekje që forcon institucionet demokratike dhe pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, veçanërisht në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mbështetje për vendimin e Kushtetueses
Këshilli përshëndet gjithashtu vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ngërçin aktual politik dhe e cilëson atë si rrugëdalje legjitime për të dalë nga kriza institucionale.
“Vlerësojmë vullnetin e aktorëve politikë për ta pranuar këtë vendim dhe i inkurajojmë që të veprojnë me përgjegjësi në interes të qytetarëve dhe të së ardhmes euroatlantike të Kosovës,” thuhet më tej në deklaratë.
Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane ka qenë tradicionalisht një zë mbështetës për pavarësinë, zhvillimin demokratik dhe integrimin ndërkombëtar të Kosovës, duke ndërmjetësuar komunikimin me qarqe politike dhe institucionale në Shtetet e Bashkuara.
