Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka folur këtë të premte në një konferencë me gazetarët mbi paralajmërimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë mbi kërcënime të mundshme nga Irani.
Lamallari tha se është një komunik standard i drejtuar disa vendeve.
Në konferencën për gazetarët paraditen e sotme, ministri deklaroi se pavarësisht kësaj është bërë vlerësimi i riskut dhe janë marrë një sërë masash për garantimin e sigurisë publike në sheshe dhe vende kritike.
“Shqipëria prej disa kohësh ka marrë masat e nevojshme për vlerësimin e riskut bazuar në shërbimet e inteligjencës, por edhe një plan masash jo vetëm për sigurinë publike në sheshe dhe vendndodhje kritike, ku janë përfshirë agjencitë ligjzbatuese dhe shërbimet e inteligjencës. Duke pasur parasysh dhe mesazhin e ambasadës amerikane komunikova me strukturat e policisë, njësinë Antiterror, për të më informuar për masat e marra dhe komunikimin me përfaqësues të zyrës së sigurisë së ambasadës. Mu komunikua se nga ambasada iu është thënë se ky është paralajmërim standard i cili i është drejtuar edhe vendeve të tjera. “-tha Lamallari
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë pasditen e së mërkurës lëshoi një paralajmërim se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara, si dhe elementë të opozitës iraniane që ndodhen në Shqipëri.
Sipas ambasadës, këto grupe mund të synojnë gjithashtu vende publike dhe të zakonshme, përfshirë qendra turistike, tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ambasada ndër të tjera theksoi rëndësinë e raportimit të çdo aktiviteti të dyshimtë pranë autoriteteve lokale dhe kontakteve të saj diplomatike.
Euronews.albania
