Kemi “mega dosje” për sektorin e energjisë; importi nga Serbia është nën 1%

Para 4 muaj

Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar në një konferencë për media se partia e tij posedon një “mega file” me të gjitha të dhënat mbi blerjet, shitjet dhe kontratat e energjisë elektrike që nga viti 2008. Ai tha se këto dokumente do t’u bëhen të qasshme gazetarëve për të sqaruar akuzat e opozitës, të cilat sipas tij synojnë të mbulojnë përgjegjësinë e qeverive të mëparshme për dëmet në sektorin energjetik.

Muja mohoi akuzat se Kosova ka importuar energji nga Serbia më 28 nëntor, duke thënë se nën qeverisjen aktuale importi nga Serbia është ulur në më pak se 1%. Ai theksoi se 94–95% e importit nga viti 2020 e tutje vjen nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Sllovenia dhe Danimarka.

Ai akuzoi qeveritë e kaluara, veçanërisht PDK-në dhe LDK-në, për politikat e gabuara në energji, duke përmendur privatizimin e KEDS-it dhe proceset e tjera të sektorit.

Sa i përket rastit NOA Energji, Muja tha se asnjë zyrtar i Vetëvendosjes nuk ka lidhje me këtë kompani dhe se kontrata për ardhjen e NOA-s në Kosovë është nënshkruar në janar 2018, para ardhjes së LVV-së në pushtet. Ai ka ftuar Prokurorinë Speciale të hetojë të gjithë procesin.

Në fund, Muja paralajmëroi se ky dokumentim i plotë i sektorit energjetik do të shërbejë për të sqaruar publikun dhe për të kundërshtuar akuzat politike.