Katari dënon sulmin ndaj bazës ajrore amerikane: Shkelje flagrante e sovranitetit

Para 10 muaj

Qeveria e Katarit ka reaguar me tone të ashpra, duke dënuar fort sulmin me raketa ndaj Bazës Ajrore al-Udeid.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Majed al-Ansari, në një deklaratë zyrtare në platformën “X” shkruan:

“Ne e konsiderojmë këtë një shkelje flagrante të sovranitetit të Shtetit të Katarit, hapësirës së tij ajrore, ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara.”

Sipas tij, sistemet e mbrojtjes ajrore të Katarit e penguan me sukses sulmin dhe interceptuan raketat iraniane, ndërsa baza ishte evakuuar më herët.

“U morën të gjitha hapat e nevojshëm për të garantuar sigurinë e personelit në bazë, përfshirë anëtarët e Forcave të Armatosura të Katarit, forcat mike dhe të tjerë.”

Ai konfirmoi se nuk ka pasur viktima apo të lënduar, ndërsa paralajmëroi se Katari rezervon të drejtën për t’u përgjigjur në mënyrë të barabartë me natyrën dhe shkallën e këtij agresioni të paturpshëm.