Kapet në Koshare një ushtar aktiv i Serbisë – Në automjet i gjenden simbole nacionaliste

Para 7 muaj

Dy shtetas serbë, babë e bir, janë arrestuar dje nga Policia e Kosovës në zonën e Kosharës, afër kufirit me Malin e Zi. Burime nga Policia e Kosovës bëjnë të ditur se njëri nga të arrestuarit është ushtar aktiv në ushtrinë e Serbisë.

Arrestimi është kryer nga Njësia për Reagim të Shpejtë (NJ.R.SH) e Policisë Kufitare në Ponashec, pasi dy personat dyshohet se kishin hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës nga pika kufitare në Kullë.

Të arrestuarit fillimisht kishin qëndruar në Manastirin e Deçanit, përpara se të lëviznin drejt zonës së Kosharës – një vend i njohur për rëndësinë e tij historike gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas burimeve, arrestimi është kryer nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, disa prej të cilëve ishin ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Gjatë kontrollit, në automjetin e tyre janë gjetur uniforma, simbole nacionaliste serbe dhe emblema të ndryshme, të cilat janë konfiskuar së bashku me veturën.

Policia po heton rrethanat e rastit dhe qëllimin e hyrjes së tyre në atë zonë, ndërsa pritet që të dyshuarit të dalin para prokurorit kompetent për veprime të mëtejshme ligjore.