Pacientët që kërkojnë shërbime në Ambulancën Specialistike të QKUK-së po përballen me vështirësi të shumta për shkak të problemeve me sistemin e ri të termineve, i cili, sipas burimeve të brendshme, po bie vazhdimisht nga funksioni.
Burime brenda ambulancave, të cilat kanë folur për gazetaren e Klan Kosovës, Arbreshë Uka, kanë bërë të ditur se rëniet e shpeshta të sistemit po krijojnë probleme serioze në menaxhimin e kontrolleve dhe regjistrimin e pacientëve.
“Ka raste kur pacientët janë detyruar të presin deri në dy orë, për shkak se sistemi është bllokuar dhe nuk mund të caktohen termine,” raportojnë burimet për Klankosova.tv.
Situata po i frustron edhe pacientët, edhe stafin mjekësor. Në shumë raste, përveç pamundësisë për të caktuar termine, mjekët nuk mund të nxjerrin as raportet mjekësore, gjë që po e vështirëson më tej ofrimin e shërbimeve.
Sistemi i ri për caktimin e termineve është vënë në funksion rreth dy muaj më parë, por, sipas raportimeve, me sistemin e vjetër nuk kishte kaq shumë ankesa dhe ndërprerje në punë.
Autoritetet përkatëse nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me problemet teknike që po ndodhin në këtë platformë të rëndësishme për menaxhimin e kujdesit shëndetësor.
