Kandiq kritikon Gashin: “Nuk i kupton faktet”, ekspozita për masakrat mbyllet pas reagimeve

Para 1 muaj

Ekspozita për masakrat e luftës në Kosovë, e autorit Shkëlzen Gashi, ka shkaktuar reagime të forta publike për shkak të pasaktësive dhe pretendimeve për shtrembërim të historisë.

Pas kritikave të shumta, ka reaguar edhe Natasha Kandić nga Fondi për të Drejtën Humanitare, e cila ka vënë në dyshim profesionalizmin e Gashit, duke thënë se ai “nuk e kupton dhe nuk e ka dijen për atë çka është shënuar”.

Ajo ka kundërshtuar veçanërisht interpretimin e tij për Masakrën e Dubravës, ku Gashi kishte përmendur “shqiptarë të armatosur”, duke theksuar se viktimat ishin të burgosur dhe të paarmatosur në momentin e vrasjes, çka i bën ata viktima të krimeve të luftës sipas standardeve ndërkombëtare.

Sipas Kandiq, fakti që disa viktima ishin më parë pjesë e UÇK-së nuk nënkupton se ata ishin të armatosur në momentin e vrasjes, pasi statusi i tyre kishte ndryshuar pas arrestimit dhe mbi ta zbatohej Konventa e Gjenevës.

Ndërkohë, ekspozita “Masakrat në Kosovë”, e hapur më 24 mars në Prishtinë, është mbyllur sot pasi kryetari i komunës, Përparim Rama, vendosi pezullimin e saj për shkak të gabimeve të mëdha në përmbajtje.