Kancelari gjerman Friedrich Merz kritikon ashpër Izraelin: “Veprimet në Gaza nuk janë më të pranueshme”

Para 9 muaj

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka kritikuar ashpër qasjen e Izraelit në Rripin e Gazës, duke thënë se mënyra se si po zhvillohet operacioni ushtarak “nuk është më e pranueshme”.

Gjatë një konference verore për shtyp, Merz bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në enklavën e shkatërruar nga lufta, ku sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 58 mijë njerëz kanë humbur jetën vetëm këtë javë.

Merz gjithashtu kritikoi vendimin e Izraelit për të dëbuar të gjitha programet ndërkombëtare të ndihmës humanitare dhe për t’i zëvendësuar me të ashtuquajturin Fondacion Humanitar i Gazës (GHF) – një strukturë e re e mbështetur nga SHBA dhe Izraeli. Kjo nismë është cilësuar nga kritikët si një “kurth cinik për të dëshpëruarit që kërkojnë ushqim”.

Kancelari gjerman deklaroi se është në kontakt të rregullt me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke i ofruar rritje të ndihmës humanitare gjermane për banorët civilë të Gazës.

“Po, Izraeli nuk do të ekzistonte nëse nuk do të mbrohej. Por ne gjithashtu e shohim vuajtjen e popullit palestinez dhe po përpiqemi të ofrojmë sa më shumë ndihmë humanitare,” u shpreh Merz.

Deklaratat e kancelarit vijnë në një kohë kur rritet presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit për t’i dhënë fund operacioneve ushtarake në Gaza dhe për të lejuar akses të pakufizuar për ndihmat humanitare.