Kafshët: terapia që nuk kushton asnjë cent

Para 11 muaj

Nëse ka ndokush që të pranon ashtu si je, pa make-up, pa kafe, pa humor dhe me pantallona pizhamash në mes të ditës… ai është, pa dyshim, një kafshë! Qofshin qentë që tundin bishtin sa herë na shohin (edhe nëse thjesht hymë nga tualeti), apo macet që na injorojnë me stil aristokratik – ata janë aty. Për ne. Për qetësinë tonë. Për ushqimin (po, edhe për atë!).

Kafshët shtëpiake kanë një fuqi të veçantë për të na bërë të buzëqeshim edhe në ditët më të zymta. Ato nuk dinë çfarë është inflacioni, por dinë të na ulin tensionin. Nuk kuptojnë lajmet, por e ndiejnë kur kemi nevojë për një përqafim. Qeni yt nuk do të të gjykojë për sasinë e ëmbëlsirave që ke ngrënë mbrëmë. As për serialin që e pe të gjithin në një natë.

Pastaj janë ata “kolegët” tanë të padukshëm: bletët që na sjellin mjaltë, lopët që kontribuojnë në mëngjesin tonë klasik dhe zogjtë që na zgjojnë pa orë alarmi (pak herët ndonjëherë, por hej, është natyra!).

E nëse mendoni se kafshët janë thjesht të ëmbla dhe të bukura, gaboheni! Ato na mësojnë empatinë, kujdesin, durimin… dhe ndonjëherë edhe të pastrojmë tapetin me produkte speciale pas ndonjë “aksidenti”. Por gjithsesi, është një lloj dashurie që nuk ka nevojë për përkthim.

Fakte që nuk i Dinit për Kafshët (por që do donit t’i kishit ditur më parë!)

  1. Octapodi me diplomë në “arratisje” – Ka raste kur oktapodët kanë dalë nga akuariumet natën, kanë zvarritur trupin e tyre në dysheme, hapur kapakun e një rezervuari tjetër për të ngrënë një peshk, dhe janë kthyer në vendin e tyre pa lënë gjurmë. Të mos kishin 8 krahë, do i kishim marrë për spiuna!

  2. Qentë mund të nuhasin emocione – Po, është e vërtetë! Qentë mund të ndiejnë kur jemi të frikësuar, të mërzitur apo të gëzuar vetëm nga era që lëshon trupi ynë kur ndryshon gjendja emocionale.

  3. Macet nuk na injorojnë kot – Studime kanë treguar se macet i njohin fare mirë emrat e pronarëve të tyre dhe zërin e tyre… thjesht zgjedhin të mos reagojnë. Duket se dinjiteti i tyre është më i rëndësishëm se entuziazmi i qenit!

  4. Delfinët i thërrasin njëri-tjetrit me “emra” – Secili delfin zhvillon një “fishkëllimë të personalizuar” që funksionon si emër. Nëse një delfin i fishkëllen një tjetri, është si t’i thërrasësh me emër në mes të detit.

  5. Pulë që njeh fytyra – Po, një pulë mund të njohë mbi 100 fytyra të ndryshme të njerëzve ose kafshëve të tjera. Pra, mos u çudisni nëse nuk ju shikon në sy pas asaj omëleteje mëngjesi…

  6. Lopët kanë shoqëri të forta emocionale – Ato krijojnë miqësi dhe mund të stresohen nëse ndahen nga shoqet e tyre të ngushta. Disa madje refuzojnë të hanë kur janë të mërzitura!

  7. Penguinët bëjnë dhurata dashurie – Meshkujt penguin zgjedhin me kujdes një gur të bukur për t’ia dhuruar një femre si pjesë e ritualit të çiftëzimit. Me pak fjalë, edhe ata kanë “propozime” romantike.

  8. Koalat kanë gjurmë gishtash të ngjashme me njerëzit – Aq të ngjashme, sa që në skenat e krimit në Australi, ndonjëherë ka pasur ngatërresa kur “dëshmitarët” ishin… koala.


Në fundjavë, mësoni nga kafshët!
Në këtë fundjavë, bëj si kafshët: merr diell si macet në dritare, ha me qejf si një qen që sheh ushqimin e preferuar dhe mos e ndërliko shumë jetën. Sepse ndonjëherë, një pushim, një përqafim dhe pak lojë janë gjithçka që na duhet.