Në një filxhan të vogël fshihet një botë e madhe. Në të, aroma ngjall kujtime, shija hap biseda, dhe ngrohtësia lehtëson shpirtin. E megjithëse për shumëkënd kafja është thjesht një zakon i përditshëm, për disa të rrallë ajo është një gjuhë më vete – një formë arti, një filozofi, një mënyrë për ta kuptuar veten dhe botën. Një nga këta të rrallë është Migjen Dema.
Nga zhurma e filxhanëve në një kafene të Prishtinës, ku dikur përgatiste kafe si student, Migjeni ka ndërtuar një rrugëtim që e ka çuar përtej teknikës dhe praktikës – në thelbin e asaj që e bën këtë pije të lashtë të jetojë çdo ditë ndryshe. Ai nuk është vetëm barist, por rrëfimtar i heshtur i ritualeve të përditshme që njerëzit i ndajnë me kafen. Një përfaqësues i një kulture që konsumon shumë, por kupton pak; një zë i ri që sfidon mitet dhe injorancën me dije, përkushtim dhe pasion.
Në këtë intervistë për Telegrafin, Migjeni na fton në një udhëtim përmes kokrrës së kafes – nga origjina deri te filxhani, nga mitet që i besojmë verbërisht deri te nuancat që shpesh na ikin pa u ndalur. Ai na fton të shohim kafen jo si kafeinë, por si përjetim – dhe baristin jo si punëtor të heshtur pas banakut, por si krijues i një ndjenje që zgjat më shumë se një gllënjkë.

“Fillimisht ishte punë, pastaj u bë dashuri”
“Si student, në moshë shumë të re, fillova të punoja në kafenenë Morena, që në ato vite ishte ikonike në qytet,” tregon Migjeni. “Klientët vinin çdo ditë dhe kërkonin që unë t’ua përgatisja kafenë. Fillova ta vërej si ndryshonte dita e tyre me atë filxhan të vogël – bisedat, vetmia, reflektimi. Fillova ta kuptoj se nuk isha thjesht dikush që përgatiste kafe, por pjesë e ritualit të përditshëm të njerëzve”.
Çfarë e bën një kafe të mirë?
Sipas tij, cilësia e kafes nis që nga kokrra: “Duhet të jetë cilësore. Por nuk mjafton vetëm kaq. Uji, temperatura, shtypja, dhe më e rëndësishmja – baristi që i njeh këto elemente dhe i sjell në harmoni”.

Kosova e kafes – shumë konsum, pak njohuri
Megjithëse konsumimi i kafes në Kosovë është masiv, Migjeni thekson se “vetëm një pakicë e shijon siç duhet”. Ai shpjegon se për shumë njerëz, kafja është vetëm një “ndalesë e shpejtë” në mes të ditës. “Por kafja është përjetim. Të jep qetësi, energji, e madje lumturi – nëse ia japim hapësirën e duhur”.
Edukimi për kafen mungon
“Konsumatori në Kosovë di emrin e brendit që pi, por jo prejardhjen, përpunimin apo shijen. Kjo është zbrazëti njohurish që duhet të plotësohet”, thotë ai.
