Një filxhan kafeje është pjesë e pandashme e mëngjesit për miliona njerëz në mbarë botën. Por përveçse na ndihmon të zgjohemi dhe të përballojmë ditën, kafeja mund të luajë një rol të rëndësishëm edhe në parandalimin e diabetit të tipit 2, sipas një studimi të fundit nga Koreja e Jugut.
Studiuesit analizuan të dhënat nga 149 publikime shkencore për të vlerësuar ndikimin e konsumimit të kafesë në proceset metabolike që çojnë në shfaqjen e diabetit të tipit 2. Rezultatet treguan se konsumi i rregullt i kafesë – mesatarisht nga tre deri në pesë filxhanë në ditë – është i lidhur me një rrezik më të ulët për të zhvilluar këtë sëmundje kronike.
Sipas raportimit të Healthline, ky efekt pozitiv i atribuohet polifenoleve, përbërës natyralë të pranishëm në kafe që kanë veti antioksiduese dhe anti-inflamatore. Këta përbërës mendohet se ndikojnë në përmirësimin e ndjeshmërisë ndaj insulinës dhe në reduktimin e stresit oksidativ – dy faktorë kyç në parandalimin e diabetit.
Më shumë se një zakoni i mëngjesit
Ekspertët theksojnë se, ndonëse gjetjet janë premtuese, nuk nënkuptojnë se kafeja është “zgjidhja magjike”. Një stil jetese i shëndetshëm, përfshirë ushqimin e balancuar dhe aktivitetin fizik, mbetet vendimtar për parandalimin e sëmundjes.
Megjithatë, për ata që e duan kafen, kjo është një arsye më shumë për ta shijuar pa ndjenja faji – gjithmonë me masë dhe pa shumë sheqer.
