Kadri Veseli feston 58-vjetorin në paraburgim , urim publik nga Memli Krasniqi

Para 11 muaj

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe një nga figurat themeluese të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, e ka festuar dje ditëlindjen e 58-të, ndërsa ndodhet në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Me këtë rast, kryetari aktual i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka dërguar urime publike përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar rolin e Veselit në historinë e Kosovës dhe duke shprehur bindjen në drejtësinë ndërkombëtare.

“Urime ditëlindjen, Kryetar! Roli i çlirimtarëve është i shkruar me sakrificë dhe shkronja të arta në historinë tonë. Nuk ka rrethanë që e ndryshon këtë – as vendi, as koha, as distanca. Me besim në fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës – pres të ritakohemi së shpejti, në Prishtinë”, ka shkruar Krasniqi.

Kadri Veseli ndodhet në paraburgim që nga viti 2020, bashkë me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-krerë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale.

Procesi gjyqësor ndaj tyre vazhdon në Hagë, ndërsa mbështetësit e tyre brenda dhe jashtë vendit vazhdojnë të shprehin besimin se do të dëshmohet pafajësia e tyre.