Prishtinë – Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka folur për situatën politike të krijuar nga moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës për muaj me radhë. Në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka theksuar rolin e presidentes Vjosa Osmani në këtë proces dhe mjetet që ajo mund t’i përdorë për të zgjidhur krizën.
Sipas Kryeziut, presidentja ka detyrë kushtetuese dhe ligjore që të kontaktojë partitë politike dhe të ndihmojë në krijimin e institucioneve të vendit. Nëse mjetet politike dështojnë dhe nuk arrihet marrëveshje, atëherë duhet përdorur rruga juridike.
Ai ka bërë me dije se, sipas nenit 113, pika 3 dhe 5 të Kushtetutës, presidentja Osmani mund të dërgojë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të pyetur nëse gjatë moskonstituimit të Kuvendit është shkelur Kushtetuta.
“Kur të iu shterren mjetet politike, është vullneti politik i subjekteve nëse ato merren vesh dhe ajo bëhet me kompromis atëherë nuk ka nevojë që të kalohet në mjetet juridike”, ka thënë Kryeziu, duke theksuar se roli i presidentes është kyç për zgjidhjen e krizës.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur vendi vazhdon të përballet me sfida në formimin e institucioneve, duke shtuar presionin për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë.
