Kadri Kryeziu: Presidentja duhet të veprojë, përndryshe ndërhyn SHBA

Para 0 vit

Kadri Kryeziu, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, ka reaguar ndaj bllokimit të procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe mosformimit të Qeverisë pas zgjedhjeve. Ai ka theksuar se në situata të tilla, roli i presidentes është vendimtar për të shmangur krizën institucionale.

Në një intervistë për Klan Kosovën, Kryeziu deklaroi se presidentja Vjosa Osmani, pavarësisht rolit të saj neutral në sistemin kushtetues, ka për detyrë të ndërmarrë veprime për të lehtësuar krijimin e institucioneve.

“Presidentja është me kompetenca neutrale, pra karakteri i saj është karakteri i unitetit. Në situata të caktuara, ajo e ka për detyrë për t’i ndihmuar që të krijohen institucionet. Ajo duhet të jetë shumë aktive, ajo e ka dhënë betimin në Parlament,” tha ai.

Sipas Kryeziut, nëse presidentja nuk ndërhyn për të zhbllokuar situatën, atëherë ekziston rreziku që “të ndërhyjnë forcat e jashtme, respektivisht administrata amerikane”. Ai theksoi se SHBA kanë treguar interes të vazhdueshëm për stabilitetin politik dhe institucional të Kosovës.