Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar pas debatit të fundit në opinionin publik rreth një telefonate të supozuar mes kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe ish-deputetit Gani Geci. Në një deklaratë për media, Peci tha se nuk ka dijeni nëse një bisedë e tillë ka ndodhur, por theksoi se publikimi i komunikimeve private nuk përbën sjellje të pjekur politike.
“Nuk e di a ka ndodh telefonata, por sido që të jetë, kam respekt për familjen Geci,” u shpreh Peci, duke shtuar se “komunikimet që ndodhin edhe me SMS, edhe me thirrje telefonike në politikë, nuk është pjekuri politike që të gjitha të shfaqen në media.”
Peci po ashtu përmendi një mesazh që, sipas tij, Geci mund t’ia ketë dërguar dikujt nga koalicioni LVV–Guxo–Alternativa, ku shpreh vullnetin për bashkëpunim pas zgjedhjeve parlamentare.
“Qe une po iu tregoj, mundeni edhe me pyet z.Geci a i ka dërgu dikujt nga koalicioni LVV-Guxo-Alternativa ndonjë SMS ku e ka shpreh simpatinë dhe vullnetin e tij që të ketë një partneritet,” tha ai.
Reagimi i Pecit vjen në një kohë kur debati rreth marrëveshjeve dhe kontakteve politike paszgjedhore është bërë temë qendrore në diskursin publik, veçanërisht lidhur me formimin e institucioneve të reja dhe mundësitë për krijimin e koalicioneve
