Kuvendi i Komunës së Rahovecit ka miratuar një deklaratë zyrtare kundër gjuhës fyese që Igor Popoviq ka përdorur ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Komunës në Facebook, të cilin e ka përcjellë edhe portali Klankosova.tv.
Deklarata u prezantua një ditë më parë nga kryetari i komunës, Smajl Latifi, përpara asambleistëve të Kuvendit Komunal. Gjatë prezantimit, Latifi theksoi rëndësinë e kësaj deklarate për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare, duke theksuar se UÇK-ja është shtylla e lirisë dhe identitetit të Kosovës.
“Asnjë gjuhë fyese dhe denigruese ndaj UÇK-së nuk mund të kalojë pa përgjigje institucionale dhe qytetare. Kjo deklaratë është një qëndrim i qartë në mbrojtje të atyre që sakrifikuan për lirinë që e gëzojmë sot,” tha Latifi para kuvendarëve.
Deklarata e miratuar nga Rahoveci vjen si reagim ndaj qëndrimeve të fundit publike të Popoviqit, të cilat kanë ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe politik në Kosovë.
