Familja 6-anëtarëshe nga Sllovia e Lipjanit me katër fëmijë të vegjël, nga 1 deri në 6 vjeç, po jeton në kushte tejet të rënda financiare, të sfiduar edhe me probleme shëndetësore. Për momentin, kjo familje e thekson si shumë sfiduese mungesën e ushqimit, barnave për kryefamiljarin dhe drutë për ngrohje, andaj pret përkrahje nga bamirësit.
Po i tregon pakot e zbrazëta të barnave, për të cilat i mungojnë rreth 150 euro mjete në muaj për trajtim shëndetësor.
Agron Vitia, kryefamiljar i familjes Vitia nga Sllovia e Lipjanit, tregon për vështirësitë financiare nëpër të cilat po kalon.
“Tybe s’mund po ia dal, sot kush po më shihni kështu kapak, kush po ka mundësi me na ndihmua se problem me ilaçe se 200 deri 300 euro në çdo dy muaj po duhet me i ble ilaçet edhe kontrolle çka po duhet me shkua harxh shtrenjtë. Problem s’mund po ia dal kurrqysh hiç”, tha Agron Vitia, kryefamiljar.
Mes pasigurisë dhe shpresës, kryefamiljari Vitia beson që dimri nuk do ta gjejë shtëpinë dhe fëmijët e tij të mitur pa ngrohje.
“Kushtet ligsht tash edhe sezoni e dimrit tash edhe për dru kush ka mundësi jam nevojtar tetë metra më shkojnë e po kushtojnë shtrenjtë, kush ka mundësi me m’i rezervua Allahu e shpërbleftë”, tha Vitia.
Derisa solidariteti mposht dimrin më të acartë, shpresa mbetet më e fortë se çdo pengesë dhe familja Vitia nuk do të përballet me ditët e ftohta, e falë vullnetit të mirë kjo shtëpi do të ketë dru për ngrohje, barna për shëndet dhe artikuj për jetesë, shpreson kryefamiljari Agron Vitia.
Rtk.
