Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, në një prononcim për Klan Kosova, ka komentuar për ndikimet e mundshme të konfliktit Izrael-Iran në rajonin e Ballkanit. Ai thotë se NATO nuk pritet të përfshihet drejtpërdrejt në luftë, por aleatë të saj – përfshirë SHBA-në – mund të përdorin bazat ushtarake në Evropë për qëllime logjistike dhe mbrojtëse.
Shea thekson se situata e re në Lindjen e Mesme do të zhvendosë vëmendjen politike ndërkombëtare, duke ndikuar edhe te proceset e pazgjidhura në rajon, si dialogu Kosovë-Serbi.
“Nuk shoh ndikim të drejtpërdrejtë në Kosovë, por krizat si kjo dhe ajo në Ukrainë e largojnë fokusin nga Ballkani”, tha ai. Ish-zyrtari i NATO-s shtoi se nuk pret krijimin e një koalicioni ndërkombëtar kundër Iranit, për shkak të ndarjeve mes interesave amerikane dhe atyre evropiane.
Lidhur me përmendjen e mundshme të Donald Trump për rikthim në dialogun Kosovë-Serbi, Shea shpreh dyshime nëse ish-presidenti amerikan do të ketë kohë apo fokus të mjaftueshëm për të ndikuar realisht në rajon, për shkak të krizave globale në rritje.
