Nga Kim Mehmeti
Shpeshherë botën nuk e përjetojmë të atillë siç është, por siç e shpërfaqin gënjeshtrat e të fortëve dhe të pasurve të cilët i kontrollojnë mediat.
Por megjithatë ka të atillë që nuk gënjehen aq lehtë, që e gjurmojnë të vërtetën, e ku nuk bëjnë pjesë shumica e shqiptarëve ngaqë ne i besojmë edhe gënjeshtrës për vetveten, duke u shpërfaqur jo të atillë siç jemi, por siç besojmë se do na pëlqejnë të fortët dhe të pasurit.
Ja një shembull se jo të gjithë botën e shohin ashtu siç e shpërfaqin gënjeshtrat të cilat jo me vite, por dekada me radhë i përhap sionizmi për të tjerët vetëm që ta mbulojë vetveten: Telegraphi ka publikuar deklaratën e Unionit te Universitetit te Oksfordit ku thuhet se studentet e tij në shumicë shprehen se Izraeli është kërcënim më i madh për botën se Irani.
Paramendoni sa emisione debatuese do organizoheshin dhe cili do ishte reagimi i ‘intelektualëve’ sikur këtë ta kishin thënë studentët e ndonjë universiteti tanë!?
Ndërkohë drejtuesit e Izraelit vazhdojnë të betohen se kurrë nuk do lejojnë formimin e një shteti palestinezë.
Që do të thotë se ata duan që edhe tutje ky popull të mos ketë të drejtë t’i mbrojë fëmijët e vet dhe që për Izraelin edhe më tej të mos vlejë asnjë ligj etik e ndërkombëtarë.
Në të vërtetë pas gjithë asaj që ndodhi në Gaza u pa se nuk janë palestinezët ata që vuajnë nga uria, por jemi të gjithë ne ata që ushqehemi me kufomën e paturpësisë sonë.
Dhe nuk është se Izraeli e ka mposhtur dhe shkatërruar Gazën, por ai i ka rrënuar të gjithë vlerat njerëzore dhe ka shkatërruar besimin tonë se ia vlen të jesh e të mbetesh njeri! (Kim Mehmeti)
