Izraeli godet zemrën bërthamore të Iranit – autoritetet: S’ka rrjedhje rreziku

Para 10 muaj

Izraeli kreu sulme ajrore ndaj kompleksit kërkimor bërthamor të Iranit në Isfahan, objektit më të madh të këtij lloji në vend, konfirmoi një zyrtar lokal për agjencinë Fars. Sipas autoriteteve iraniane, nuk ka pasur rrjedhje të materialeve të rrezikshme, por qytetarëve iu kërkua të shmangnin zonën për të mos penguar ekipet e emergjencës.

Mbrojtja ajrore iraniane interceptoi disa prej raketave, por disa sulme arritën objektivin. Dëgjimi i shpërthimeve në qytet u shpjegua si pasojë e ndërhyrjes së sistemit mbrojtës dhe goditjeve izraelite.

Sipas raportimeve të agjencisë MEHR, Izraeli shënjestroi disa lokacione në provincën e Isfahanit, por rafineria e naftës nuk u godit. Sulmet vijnë pas një goditjeje të mëparshme ndaj Qendrës së Teknologjisë Bërthamore në të njëjtën zonë, për të cilën zyrtarë izraelitë pretenduan se ka pësuar “dëme të konsiderueshme”.

Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) konfirmoi dëmtime në katër ndërtesa të objektit, ndërsa autoritetet iraniane deklaruan se dëmet janë “të kufizuara”.