Një shqiptar, Elton Bami, 42 vjeç, ka ndërruar jetë të dielën në Sant’Olcese, Genova, pasi u godit tri herë me pistoletë elektroshoku nga forcat karabinierë, raportojnë mediat italiane.
Ngjarja ndodhi pas një denoncimi nga fqinjët për sjellje agresive të viktimës. Fillimisht në vendngjarje mbërritën ekipet mjekësore, të cilat kërkuan ndihmën e policisë për shkak të situatës së tensionuar.
Sipas raportimeve, Bami shfaqi sjellje të dhunshme teksa zbriste shkallët e banesës, çka çoi në përdorimin e forcës nga ana e karabinierëve. Ndërhyrja rezultoi fatale, duke i shkaktuar vdekjen.
Mjeku ligjor ka konstatuar shenja të shumta goditjesh elektrike në trupin e viktimës. Autopsia do të përcaktojë shkakun përfundimtar të vdekjes.
Prokuroria e Genovas ka nisur hetim për vrasje nga pakujdesia, ndërsa dy karabinierët janë cilësuar të dyshuar në këtë rast.
Ngjarja ndodh vetëm pak orë pas një rasti të ngjashëm në Olbia, ku një italian 57-vjeçar humbi jetën pas përdorimit të elektroshokut nga policia.
