Greqia po përballet me një tjetër valë shkatërrimtare zjarresh, këtë herë në ishullin turistik të Kios, ku prej tre ditësh flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha toke dhe pyje. Për shkak të përmasave të zjarrit dhe rrezikut të përhapjes, autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Qindra zjarrfikës të mbështetur nga forcat ajrore dhe ndihma nga Athina, Selaniku dhe ishulli i Lesbos janë angazhuar për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit që përhapen me shpejtësi. Vetëm të martën në mëngjes, mbi 440 zjarrfikës me 85 automjete dhe 13 mjete ajrore, përfshirë helikopterë dhe avionë, po përballeshin me situatën dramatike në terren.
Ministri grek i Mbrojtjes Civile dhe i Krizës Klimatike, Giannis Kefalogiannis, tha se ekziston dyshimi për zjarrvënie të qëllimshme, pasi disa nga vatrat janë shpërthyer në vende të ndryshme dhe pa lidhje mes tyre. Si masë parandaluese, ai njoftoi përforcim të forcave të policisë dhe shtim të patrullave ushtarake në Kios.
Autoritetet greke po bëjnë thirrje për vigjilencë dhe bashkëpunim nga qytetarët, ndërsa operacionet e shpëtimit dhe përpjekjet për shuarjen e flakëve vijojnë pa ndërprerje.
