Ishte dora e Kremlinit!” Rusia ironizon videon virale të Macron me bashkëshorten

Para 11 muaj

Pas përhapjes virale të një videoje ku duket se Presidenti francez Macron “goditet” nga bashkëshortja e tij, Kremlini nuk ka ngurruar të reagojë me ironi!

Një video që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale ka shkaktuar diskutime dhe batuta të shumta. Në pamjet që janë bërë virale, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, shihet teksa merr një lëvizje të papritur në fytyrë nga bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, gjatë vizitës së tyre në Hanoi, Vietnam.

Për ngjarjen ka reaguar edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cila ka ironizuar momentin përmes një postimi në Telegram.
“Macron mori një shuplakë të mirë nga e shoqja, sapo çifti mbërriti në Hanoi. Zonja e Parë vendosi ta përkëdhelte bashkëshortin e saj me një shuplakë dhe nuk e llogariti dot forcën e saj? Po i jepte një pecetë dhe nuk ia doli dot? Donte t’i rregullonte kravatën dhe përfundoi me dorën te fytyra e të dashurit të saj? Ja një aludim: Mbase ishte dora e Kremlinit,” shkruan Zakharova me një ton sarkastik.

Për të qetësuar zërat, vetë Presidenti Macron ka komentuar ngjarjen duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për ndonjë konflikt mes çiftit. “Ishte thjesht një shaka mes nesh, e bëjmë shpesh. Nuk ka pasur asnjë lloj agresiviteti,” u shpreh ai për mediat franceze.

Videoja, megjithatë, vijon të shpërndahet gjerësisht, duke nxitur humor dhe interpretime të ndryshme në rrjet.