Ish-ministri Fadil Ismajli dhe gjashtë zyrtarë të tjerë të arrestuar për korrupsion pritet të dalin sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, të pandehurit M.D., J.M., F.I., B.D., Sh.T., N.K. dhe G.L. dyshohet se nga shkurt 2023 deri më 18 dhjetor 2025 kanë ndërmarrë veprime për përfitim të kundërligjshëm personal. Vetëm në një rast, dëmi ndaj buxhetit shtetëror ka kapur mbi 220 mijë euro, ndërsa dëmi total dyshohet se arrin vlera milionëshe.
Të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Deklarimi i rremë”.
Fadil Ismajli ka shërbyer si Ministër i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës në vitin 2013.
