Irani mohon takimin me SHBA: “Nuk ka besim, vetëm kontradikta

Para 10 muaj

Ministria e Jashtme e Iranit ka refuzuar të konfirmojë deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili njoftoi një takim të mundshëm mes delegacioneve iraniane dhe amerikane javën e ardhshme.

“Nuk kemi asgjë për të thënë në lidhje me deklaratat kontradiktore të SHBA-së për diplomacinë dhe negociatat,” u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot në Teheran.

Baghaei theksoi mungesën e besimit ndaj Uashingtonit, duke përmendur se gjatë kohës që flitet për diplomaci, “SHBA-të i dhanë Izraelit dritën jeshile për të sulmuar Iranin”, vetëm dy ditë para një takimi të planifikuar në Muscat. “A ka mbetur ndonjë besim?”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Trump deklaroi të mërkurën në Hagë se SHBA-të do të takohen me Iranin për të diskutuar një marrëveshje të mundshme bërthamore. Megjithatë, ai theksoi se nuk e konsideron të nevojshme një marrëveshje të re.

“Do të flasim me ta javën tjetër. Mund të nënshkruajmë një marrëveshje, nuk e di. Për mua, nuk është diçka e domosdoshme,” tha Trump në fund të samitit të NATO-s.

Deklaratat e Trump vijnë në një kohë të tensionuar në Lindjen e Mesme, ku përplasjet diplomatike dhe ushtarake midis SHBA-së, Iranit dhe aleatëve rajonalë vazhdojnë të thellohen.