Forcat e armatosura iraniane kanë goditur disa caqe në Izrael, përfshirë aeroportin Ben Gurion, pasi SHBA-ja ia sulmoi objektet kryesore bërthamore.
Agjencia e lajmeve Fars raportoi se u sulmua një aeroport, “një qendër për kërkime biologjike”, bazat logjistike dhe disa qendra komanduese.
Shërbimi i shpëtimit Magen David Adom i Izraelit njoftoi se kishte “dërguar në spital 16 persona, përfshirë një burrë 30-vjeçar në gjendje mesatare, i plagosur në pjesën e sipërme të trupit nga copat e predhave”.
Televizioni publik KAN 11 transmetoi pamje të një ndërtese të shkatërruar, e rrethuar nga grumbuj rrënojash, për të cilën tha se ndodhej në qendër të Izraelit, pas dy valëve të raketave të lëshuara drejt Izraelit rreth orës 07:30 të mëngjesit.
Policia izraelite raportoi për “rënien e copave të armëve” në një zonë veriore që përfshin portin e Haifës, ku autoritetet lokale thanë se shërbimet e emergjencës po shkonin drejt “vendit të incidentit”.
Ushtria amerikane goditi më 21 qershor tre objekte bërthamore iraniane, Fordo, Natanz dhe Esfahan, gjatë një përpjekjeje të përbashkët me Izraelin për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit, pasi diplomacia dështoi ta kthente Teheranin në tavolinën e negociatave.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, i quajti sulmet “të turpshme” dhe paralajmëroi se ato “do të kenë pasoja të përhershme”, në një postim në X.
