Çmimet e konsumit në Kosovë u rritën mesatarisht me 5.1% në tetor 2025 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Në nivel mujor, inflacioni arriti në 0.6%, duke reflektuar një rritje të lehtë të çmimeve krahasuar me shtatorin.
Rritja më e madhe e çmimeve është vërejtur në kategoritë:
- Pushimet e organizuara (+23.7%)
- Biletat e fluturimeve (+21%)
- Energjia elektrike (+20.3%)
- Pemët (+15.3%)
- Kafe, çaj dhe kakao (+13.1%)
- Mirëmbajtja e pajisjeve të transportit personal (+12.4%)
- Mishi (+12.3%)
- Shërbimet hoteliere (+9%)
Ndërkohë, çmimet kanë rënë te karburantet dhe lubrifikantët për transport personal (-2.6%) dhe blerja e automjeteve (-1.2%).
Në krahasim me shtatorin, rritja mujore u ndikua nga shtrenjtimi i lëndëve djegëse të ngurta, drurit dhe peletit (+8.4%), energji elektrike (+3.3%), perime (+2.2%) dhe duhan (+2.2%).
Ekspertët vlerësojnë se norma e lartë e inflacionit tregon presion të vazhdueshëm mbi çmimet e konsumit, sidomos në sektorët e energjisë, ushqimit dhe shërbimeve turistike.
