Një incident i rrezikshëm ka ndodhur gjatë një fluturimi nga Gjeneva për në Prishtinë, ku një shtetas shqiptar ka tentuar të hapë derën e emergjencës të avionit ndërsa ishte ende në ajër.
Sipas dëshmitarëve, i riu ka pasur një sjellje të pazakontë dhe të çuditshme, para se të përpiqej të hapte derën e avionit. Ky veprim ka shkaktuar panik tek pasagjerët, por ata kanë reaguar me shpejtësi për të parandaluar çdo pasojë tragjike.
Disa prej udhëtarëve kanë hedhur veten mbi të dhe kanë arritur ta neutralizojnë, duke evituar një ngjarje fatale. Falë veprimit të shpejtë të pasagjerëve dhe ndihmës së menjëhershme nga stafi i avionit, situata është vënë nën kontroll, derisa avioni ka mundur të vijojë udhëtimin pa incidente të mëtejshme.
Menjëherë pas aterimit të avionit, autoritetet e Policisë kanë ndërhyrë dhe kanë arrestuar shtetasin shqiptar, i cili gjatë arrestimit ka ofenduar dhe ka përdorur tone të ashpra. Aktualisht, motivet e këtij veprimi janë ende të paqarta dhe hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes kanë nisur.
Autoritetet përgjegjëse do të bëjnë gjithçka të mundur për të ndriçuar arsyet që mund të kenë shtyrë individin të ndërmarrë një veprim të tillë të rrezikshëm, ndërkohë që do të vazhdojnë hetimet për zbardhjen e këtij incidenti.
