Incident diplomatik në SHBA – Aleksandar Vuçiç dyshohet për pjesëmarrje me identitet të rremë në një darkë donatorësh

Para 1 vit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është përfshirë në një incident të pazakontë gjatë një vizite të shkurtër në Shtetet e Bashkuara, ku dyshohet se ka tentuar të marrë pjesë në një darkë donatorësh të kandidatit republikan për guvernator të Floridës, Byron Donalds, duke përdorur një emër të rremë, “Aleks Vuçi”.

Lajmi është publikuar nga Aleksandar Joviçiç, anëtar i organizatës “Serbët për Trump 2024”, i cili pretendon se Vuçiç është kapur në shkelje të protokolleve ligjore dhe është larguar me mirësjellje nga autoritetet amerikane. Incidenti ka ngjallur reagime të forta brenda Serbisë, veçanërisht nga opozita dhe zërat konservatorë.

Lëvizja për Ringjalljen e Mbretërisë së Serbisë e ka cilësuar ngjarjen si një “turp kombëtar”, duke akuzuar Vuçiçin për dëmtim të reputacionit ndërkombëtar të vendit dhe për përçarje të komunitetit serb në diasporë.

Kreu i kësaj force politike, Vojislav Mihailoviç, tha për gazetën Danas:
“Presidenti është kapur duke tentuar të hyjë me emër të rremë dhe është detyruar të largohet. Ky është një akt që na ka turpëruar para botës.”

Pas incidentit, Vuçiç është kthyer urgjentisht në Beograd. Mediat zyrtare në Serbi kanë raportuar se kthimi i papritur lidhet me probleme shëndetësore, por opozita serbe e lidh ngjarjen me përjashtimin e tij nga eventi dhe refuzimin e një takimi me presidentin Donald Trump.

Ngjarja është duke u ndjekur nga afër nga mediat ndërkombëtare dhe pritet të ketë pasoja në marrëdhëniet diplomatike të Serbisë, veçanërisht me spektrin republikan amerikan.