Falë angazhimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe mbështetjes së vazhdueshme nga “Khalifa Foundation”, sot në Spitalin “Sheika Fatima” është inauguruar laboratori i ri, i pajisur me teknologjinë më bashkëkohore.
Ky laborator do të mundësojë që një pjesë e madhe e analizave mjekësore të realizohen brenda vetë spitalit pediatrik, duke rritur ndjeshëm efikasitetin, cilësinë dhe qasjen në shërbime laboratorike, veçanërisht për fëmijët – grupin më të ndjeshëm dhe më të rëndësishëm për mbrojtjen shëndetësore.
Një fokus i veçantë është vendosur në repartin e neonatologjisë, ku një pjesë e konsiderueshme e pajisjeve do të përdoren për të ofruar kujdes jetik për bebet dhe nënat, në fazat më delikate të jetës.
Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje të veçantë për popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe për Lartmadhërinë e saj, Sheika Fatima bint Mubarak Al Ketbi, për kontributin e çmuar dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në përmirësimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.
“Ky laborator është një hap konkret drejt garantimit të kujdesit shëndetësor cilësor për fëmijët tanë. Investime të tilla nuk janë thjesht ndihmë, por një akt humanizmi dhe solidariteti të vërtetë,” tha Presidentja Osmani.
Inaugurimi i këtij laboratori përfaqëson një hap të rëndësishëm në përforcimin e kapaciteteve teknike dhe profesionale të Spitalit “Sheika Fatima”, në funksion të shërbimeve më të avancuara dhe gjithëpërfshirëse për fëmijët e Kosovës.
